Transformimi i shoqërisë nxori në pah synimet edhe sukseset e gjinisë femërore. Ato larguan pengesat dhe arritën avancimin në shumë drejtime. Në mesin e tyre, në qendër të vëmendjes janë sportistet më të fuqishme kosovare, të cilat, me suksesin e tyre, prekën majat e globit dhe rrënuan paragjykimet gjinore.
Ato me të drejtë fituan epitetin e damave të fuqishme, të cilat veprojnë të shtyra nga forca, pasioni dhe synimet për të sjellë ndryshim, duke qenë përherë në gjendje gatishmërie për të kontribuuar për shtetin e tyre. Sportistet kosovare, me talentin e tyre të dëshmuar kudo në botë, janë shndërruar në zonja të jashtëzakonshme, të cilat kanë arritur rekorde botërore, kanë mahnitur miliona dhe kanë frymëzuar breza të tërë, ndaj me të drejtë meritojnë që t’i nderojmë për suksesin, namin dhe reputacionin që i sollën sportit kosovar, prirë nga Majlinda Kelmendi, sportiste spektakolare, e cila përherë ngadhënjeu në arenën luftarake, dominoi dhe sendërtoi ëndrrën e saj si xhudistja kosovare më e mirë në botë, pasuar nga Nora Gjakova, xhudistja sharmante me medalje olimpike, e Distria Krasniqi, fituesja e medaljes së artë olimpike, të cilën e cilëson shpirti luftarak dhe synimi për të triumfuar. Përtej shkëlqimit në disiplinën e xhudos, Kosova, si shtet i ri, ka arritur një shkallë të rëndësishme të përfaqësimit të gjinisë femërore në fusha të ndryshme sportive, ndaj, në vazhdim, jua zbulojmë rrëfimet unike të sportisteve të jashtëzakonshme vendëse, vizionareve të shkathëta, Donjeta Sadiku, boksiere, Gresa Bakraqi, vrapuese, Era Shatri, basketbolliste, Leonora Demaj, hendbolliste dhe Edona Kryeziu, futbolliste, të cilat, falë kontributit dhe performancës së shkëlqyer, janë shndërruar në personalitete të rëndësishme, sportiste me ndikim dhe ikona frymëzuese të kulturës kosovare.
Blerina Gashi, autore
Copyright © 2022-2023 www.sportistetkosovar.com – All Rights Reserved.
Asnjë material nuk mund të shfrytëzohet, kopjohet, riprodhohet, publikohet në asnjë mënyrë nga ndonjë portal apo ndonjë medium tjetër pa leje të shkruar të autores. Të gjithë shkelësit e këtyre të drejtave do të ballafaqohen me ligjin.